.
×

​Agjenti i Zidane reagon ndaj lajmeve se francezi do ta marrë drejtimin e Man Unitedit



Agjenti i Zinedine Zidanit, Alain Migliaccio, ka bërë të ditur se ish-trajneri i Real Madridit nuk ka dëshirë të punojë në Angli, duke i mohuar kështu spekulimet se francezi do ta marrë pozitën e trajnerit të Manchester Unitedit.
Gjatë kësaj vere dhe në fillim të sezonit është përfolur se trajneri francez do të jetë pasues i Jose Mourinhos në klubin anglez. Madje, të premten ishte raportuar se Mourinho është shumë afër shkarkimit dhe Zidane do të duhet të presë vetëm edhe pak kohë për t’u emëruar trajner, transmeton Gazeta Express.

Për më tepër, edhe ishte raportuar se strategu francez e kishte bërë një listë të lojtarëve që dëshiron t’i ketë në Old Trafford, duke e bërë kështu edhe më të mundur emërimin e tij si trajner të “Djajve të kuq”.

Përveç Manchester Unitedit, ishte raportuar se Zidane mund ta marrë edhe pozitën e trajnerit të Juventusit, të cilën tani e mban Massimiliano Allegri. Nëse do e bënte një gjë të tillë, atëherë ai do të ribashkohej me Cristiano Ronaldon.

Por, përfaqësuesi i tij, Alain Migliaccio, i ka mohuar këto spekulime duke thënë se Zidane nuk do të kthehet në futboll para se të bëhet një vit nga dorëheqja prej pozitës së trajnerit në Real Madrid.

“Nuk mendoj se do të jetë trajner në Angli. Nuk është stili i tij. E kam diskutuar këtë gjë me të, dhe atë nuk e tërheqë kjo gjë”, ka thënë Migliaccio.

“Ai ka vendosur ta marrë një vit pushim, dhe nuk do të kthehet përsëri para se të përfundojë kjo kohë”.